Gati tri dekada pas vdekjes së Princeshës Diana, vëllai i saj i vetëm, Charles Spencer, ka vendosur të tregojë për herë të parë gjerësisht historinë e saj nga këndvështrimi i njeriut që u rrit përkrah saj.

Konti i 9-të Spencer, 62 vjeç, do të publikojë më 22 shtator librin “Swan Song: Diana, My Sister”, i cili pritet të sjellë kujtime personale, episode familjare dhe zbulime të reja për një prej figurave më të famshme të familjes mbretërore britanike.

“Qëllimi i këtij libri është të tregojë të vërtetën për Dianën nga këndvështrimi i vëllait të saj”, ka deklaruar Spencer, duke e krahasuar misionin e librit me fjalimin e fuqishëm që mbajti në funeralin e saj në Westminster Abbey më 1997.

Ai thotë se vendosi të shkruante pasi mori kërkesa të shumta për intervista me afrimin e 30-vjetorit të vdekjes së Dianës. Spencer dëshiron të kundërshtojë edhe ato që i konsideron të pavërteta për motrën e tij, të cilat sipas tij janë pranuar si fakte me kalimin e viteve.

Charles e përshkruan Dianën si një karakter unik dhe dinamik, “plot dashuri, karizëm dhe dyshime për veten”, që pavarësisht jetës së shkurtër e la botën një vend më të mirë.

Libri do të prekë edhe fëmijërinë e tyre të vështirë pas divorcit të prindërve. Spencer ka treguar më parë se ai dhe Diana, atëherë vetëm pesë vjeçe, përjetuan së bashku largimin e nënës së tyre nga shtëpia.

“Swan Song: Diana, My Sister” do të botohet nga Penguin Press dhe do të përkthehet në 12 gjuhë. Botuesi paralajmëron se libri përmban “shumë zbulime” që pritet të tërheqin vëmendje të madhe.

Diana humbi jetën në aksidentin automobilistik në Paris më 31 gusht 1997. Djemtë e saj, William dhe Harry, ishin përkatësisht 15 dhe 12 vjeç.

 

Burimi: PEOPLE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu