Shakira është rikthyer në vendlindjen e saj për t’u ardhur në ndihmë mijëra familjeve të prekura nga tërmeti shkatërrues që goditi Kolumbinë më 10 gusht. Ylli botëror vizitoi Chocó, një prej zonave më të goditura, dhe njoftoi një projekt të madh për rindërtimin e shkollave.

Tërmeti me magnitudë 7.4 shkaktoi një katastrofë në perëndim të vendit. Bilancet e fundit flasin për rreth 300 viktima dhe mijëra të plagosur, ndërsa dhjetëra mijëra banesa janë prekur. Vetëm në sektorin e arsimit dëmet janë të mëdha, duke lënë mijëra fëmijë pa mundësi për t’u rikthyer normalisht në shkollë.

Gjatë vizitës në Chocó, Shakira u takua me banorë, nxënës dhe përfaqësues të komuniteteve të prekura. Përmes fondacionit të saj “Pies Descalzos”, këngëtarja do të angazhohet në rindërtimin e të paktën 10 shkollave dhe Universitetit Teknologjik të Chocó-s. Fondacioni i saj ka punuar prej më shumë se dy dekadash me projekte arsimore në këtë rajon.

Për projektin janë siguruar fillimisht 1.25 milionë dollarë: 500 mijë dollarë nga FIFA Global Citizen Education Fund, 500 mijë nga Live Nation dhe 250 mijë dollarë nga Banka e Zhvillimit CAF. Në projekt është përfshirë gjithashtu filantropi amerikan Howard Buffett, fondacioni i të cilit do të bashkëpunojë me “Pies Descalzos” për rindërtimin.

Shakira bëri gjithashtu thirrje që qeveritë, kompanitë dhe organizatat ndërkombëtare të shtojnë ndihmën për Chocó-n, duke paralajmëruar se rindërtimi do të jetë një proces i gjatë dhe se fëmijët duhet të rikthehen sa më shpejt në shkolla.

“Duhet sa më shumë ndihmë”, ishte mesazhi i këngëtares gjatë vizitës në rajonin e goditur.

 

Burimi: La Repubblica / AP / Euronews / Cadena SER (AP News)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu