
Princi Harry ka shprehur publikisht dëshirën për t’u pajtuar me babanë e tij, Mbretin Charles III, dhe vëllanë, Princin William, pas disa vitesh marrëdhëniesh të tensionuara brenda familjes mbretërore britanike. Në një intervistë për revistën GQ, Duka i Sussex-it ka folur për plagët e së shkuarës, rikthimin në Britani dhe gjendjen shëndetësore të të atit.
“Disa njerëz nuk duan që gjërat të rregullohen. Unë dua që të rregullohen. Me gjithçka tjetër që po ndodh në botë, gjëja më e rëndësishme është pajtimi. Kjo është thelbësore”, deklaroi Harry gjatë intervistës së zhvilluar në Nju Jork.
Ai pranoi se konfliktet familjare lënë gjurmë të thella, por theksoi rëndësinë e kapërcimit të së shkuarës.
“Plagët mbeten përgjithmonë. Por mënyra se si i shikon gjërat që kanë ndodhur dhe aftësia për ta lënë pas të shkuarën janë diçka që do t’ia këshilloja kujtdo”, u shpreh princi.
Mesazhi për William dhe Mbretin Charles
Marrëdhëniet mes Harry-t dhe familjes mbretërore u përkeqësuan pas vendimit të tij dhe Meghan Markle për t’u larguar nga detyrat mbretërore në vitin 2020 dhe për t’u zhvendosur në Shtetet e Bashkuara.
Publikimi i librit autobiografik Spare nxori në pah përplasjet e thella me familjen, veçanërisht me vëllanë e tij, William.
Megjithatë, Harry këmbëngul se dëshiron t’i rindërtojë marrëdhëniet.
Një zëdhënës i çiftit sqaroi se deklarata për njerëzit që nuk dëshirojnë pajtimin nuk ishte një sulm ndaj William apo ndonjë anëtari tjetër të familjes mbretërore.
Harry flet për shëndetin e Mbretit Charles
Në intervistë, princi u pyet edhe për gjendjen shëndetësore të babait të tij, i cili ka marrë trajtim për kancerin.
“Ai po përmirësohet”, deklaroi Harry, pa dhënë hollësi të tjera.
Deklarata vjen në një kohë kur Duka dhe Dukesha e Sussex-it janë rikthyer në Britaninë e Madhe dhe kanë rifilluar aktivitetet e tyre publike.
Pse Harry dhe Meghan u kthyen në Britani?
Harry shpjegoi se një nga arsyet kryesore të rikthimit ishte dëshira që fëmijët e tyre, Archie dhe Lilibet, të kishin mundësinë të ndiqnin shkollën në Britani.
“Mundësia që fëmijët të shkojnë në një shkollë britanike ka pasur shumë rëndësi për mua. Nuk e kisha kuptuar sa e rëndësishme ishte”, tha ai.
Sipas princit, të dy fëmijët po e shijojnë përvojën e re.
Ai shtoi se dëshironte të qëndronte më gjatë në vendlindje dhe të ishte fizikisht më pranë familjes.
Kujtimi i Dianës dhe vitet e vështira
Harry foli edhe për humbjen e nënës së tij, Princeshës Diana, e cila humbi jetën në vitin 1997.
Ai tregoi se tashmë ka mësuar ta mbajë kujtimin e saj si pjesë të punës dhe jetës së tij, në vend që dhimbja ta pengojë të ecë përpara.
Princi theksoi gjithashtu se nuk kërkon keqardhje nga publiku, duke përmendur mbështetjen psikologjike dhe terapinë që e kanë ndihmuar gjatë viteve.
Intervista është realizuar në fund të shtatorit, por është publikuar më 20 tetor, në kohën kur familja mbretërore priste Sulltanin e Omanit në Windsor. Përfaqësuesit e Harry-t sqaruan se data e publikimit ishte vendosur nga revista dhe nuk lidhej me aktivitetet e familjes mbretërore.






