Protesta studentore ka hyrë këtë të enjte në ditën e tretë, duke u shtrirë nga Tirana në disa qytete të tjera të vendit. Nxënës dhe studentë kanë bojkotuar mësimin, ndërsa në kryeqytet janë regjistruar përplasje me policinë, përdorim i gazit lotsjellës dhe shoqërime të protestuesve. Incidente të dhunshme janë raportuar edhe në Korçë dhe Elbasan.

Që në orët e para të mëngjesit, grupe gjimnazistësh dhe studentësh kanë dalë në rrugët e Tiranës, ndërsa një pjesë e tyre janë grumbulluar pranë Kuvendit dhe Ministrisë së Arsimit.

Situata është tensionuar pranë Ministrisë së Arsimit, ku policia ka përdorur gaz lotsjellës për të larguar protestuesit. Në gatishmëri është vendosur edhe autoboti me ujë.

Protestat janë shoqëruar me bojkot të mësimit edhe në qytete të tjera. Në Korçë, protestuesit kanë thyer xhamat e Drejtorisë Arsimore, ndërsa në Elbasan janë raportuar akte shkatërrimi dhe shoqërime nga policia.

Edhe në Durrës, grupe protestuesish kanë bllokuar rrugë duke u vënë flakën koshave të mbeturinave. Incidente të ngjashme janë regjistruar në Tiranë, ndërsa në Shkodër është raportuar bojkot i mësimit.

Për shkak të situatës së krijuar, Kuvendi anuloi seancën plenare të parashikuar për orën 10:00. Sipas njoftimit të Kuvendit, seanca do të zhvillohet javën e ardhshme.

Ndërkohë, Gjykata e Apelit po shqyrton mundësinë e shtyrjes së seancave gjyqësore të ditës së sotme.

Protestat vijojnë pas incidenteve të dhunshme të së mërkurës, kur u sulmuan institucione shtetërore, degë bankash dhe biznese private.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, 89 persona morën kujdes mjekësor pas përplasjeve të një dite më parë, ndërsa policia ka shoqëruar mbi 80 persona.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu