Policia e Tiranës ka arrestuar 55 persona dhe ka nisur procedimin penal për 98 të tjerë pas protestës së dhunshme të 14 tetorit në kryeqytet. Mes të arrestuarve janë edhe dy të mitur, 15 dhe 17 vjeç. Sipas policisë, gjatë përplasjeve janë lënduar 51 efektivë, ndërsa janë dëmtuar institucione shtetërore, banka, biznese private dhe automjete.

Sipas njoftimit zyrtar, aktet e dhunës nisën gjatë tubimit përpara Ministrisë së Arsimit, në rrugën e Durrësit, ku grupe protestuesish të maskuar hodhën gurë, pllaka guri, sende metalike, kapsolla dhe kokteje molotovi në drejtim të punonjësve të policisë dhe institucioneve.

Nga sulmet u dëmtuan muret, dritaret dhe kangjellat rrethuese të Ministrisë së Arsimit, si dhe tabela reklamash, semaforë dhe sinjalistika rrugore.

Më pas, incidentet u përhapën në disa zona të kryeqytetit, përfshirë bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, bulevardin “Gjergj Fishta”, rrugën “Muhamet Gjollesha” dhe rrugën e Durrësit.

Policia raporton se gjatë protestës u dëmtuan fasada xhami, bankomate, kamera sigurie, institucione financiare dhe biznese të ndryshme.

Një nga incidentet më të rënda u regjistrua pranë Komisariatit të Policisë Nr. 2, ku disa protestues hynë brenda rrethimit të godinës dhe goditën me sende të forta e mjete piroteknike. Si pasojë, u dëmtuan xhamat e fasadës dhe porta hyrëse e komisariatit.

Gjatë sulmit u dogj edhe një automjet i Policisë, ndërsa tre automjete të tjera të parkuara u dëmtuan me sende të forta.

Sipas bilancit të bërë publik nga Policia e Tiranës, nga aktet e dhunës mbetën të lënduar 51 punonjës policie.

Pas veprimeve hetimore të kryera nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, policia arrestoi në flagrancë 55 persona, mes të cilëve një grua 45-vjeçare dhe dy të mitur, përkatësisht 15 dhe 17 vjeç.

Ndaj 98 personave të tjerë ka nisur procedimi penal.

Hetimet vijojnë për identifikimin e pjesëmarrësve të tjerë të dyshuar për ushtrim dhune ndaj efektivëve, dëmtim të institucioneve shtetërore dhe shkatërrim të pronës publike e private.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu