
Një denoncim i publikuar nga qytetarë në Jalë ngre shqetësime për përdorimin e hapësirave publike në një nga zonat më të frekuentuara turistike të rivierës shqiptare raporton Publik.al.
Sipas pretendimeve të ngritura, një pjesë e plazhit publik është rrethuar me shirita sinjalizues dhe po administrohet si hapësirë private, duke kufizuar aksesin e pushuesve. Qytetarët kanë përcjellë fotografi dhe dokumente që, sipas tyre, tregojnë se zona në fjalë rezulton hapësirë publike dhe jo sipërfaqe e dhënë me kontratë për përdorim privat.
“Ky është plazhi publik që ata e kanë zaptuar dhe e kanë rrethuar me shirita për veten e tyre. Në vilën ushtarake vijnë pushues që nuk kanë lidhje me institucionet ushtarake dhe hapësira është kthyer në biznes privat”, thuhet në denoncimin e publikuar.
Sipas qytetares që ka ngritur shqetësimin, problematika shtrihet edhe te një mol në zonën e Jalës, i cili pretendohet se përdoret ekskluzivisht nga rezidenca ushtarake, ndërsa qytetarëve të tjerë nuk u lejohet qasja.
Një tjetër pretendim lidhet me lëvizjen e mjeteve lundruese pranë zonës së pushuesve. Denoncuesja shprehet se një mjet lundrues hyn rregullisht në hapësirën ku qëndrojnë pushuesit, duke ngritur pikëpyetje për respektimin e rregullave të sigurisë.
“Ky mjet lundrues lundron çdo ditë në zonë të kufizuar mes pushuesve. Është mjet i rezidencës ushtarake që ka bllokuar molin e Jalës dhe ka zaptuar hapësirën publike të plazhit”, deklaron ajo.
Qytetarët kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse për të verifikuar ligjshmërinë e kufizimeve të vendosura në plazh, statusin e hapësirave të kontestuara dhe respektimin e të drejtës së aksesit publik në bregdet.
Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga institucionet e përmendura në denoncim, ndërsa pretendimet mbeten për t’u verifikuar nga autoritetet kompetente.






