
Një sulm i rëndë me thikë në Belfast ka nxitur një valë trazirash dhe dhune në Irlandën e Veriut, duke sjellë përplasje në rrugë, sulme ndaj banesave të emigrantëve dhe reagime të forta nga autoritetet britanike.
Viktima, Steven Ogilvy, rreth të 40-ave, humbi syrin e majtë dhe pësoi dëmtime të rënda në syrin e djathtë, qafë dhe shpinë pas sulmit të ndodhur të hënën mbrëma. Në gjykatë u paraqit 30-vjeçari sudanez Hadi Alodid, i akuzuar për tentativë vrasjeje, kërcënim me vdekje ndaj një punonjësi të NHS dhe mbajtje të armës së ftohtë.
Ngjarja u pasua nga protesta që degjeneruan në dhunë. Sipas BBC, automjete, shtëpi dhe një autobus u dogjën në Belfast, ndërsa grupe të maskuara sulmuan lagje ku jetojnë emigrantë dhe refugjatë.
Kryeministri britanik, Keir Starmer, dënoi ashpër incidentet.
“Është e qartë se njerëzit u shënjestruan për shkak të prejardhjes së tyre dhe këtë nuk do ta toleroj”, deklaroi Starmer.
Sekretari për Irlandën e Veriut, Hilary Benn, i quajti protestuesit e dhunshëm “huliganë të maskuar”, ndërsa shefi i policisë Jon Boutcher tha se trazirat ishin “një akt vetëdëmtimi nga idiotë pa mend”.
Gjatë natës, policia evakuoi dhjetëra familje, mes tyre edhe një foshnjë vetëm dy muajshe. Një familje afrikane që jetonte prej 20 vitesh në Belfast u detyrua të largohej pasi banesa e saj u sulmua, ndërsa një adoleshente ukrainase shpëtoi pasi shtëpisë iu vu zjarri.
Autoritetet paralajmëruan se personat e përfshirë në dhunë do të përballen me pasoja penale, ndërsa qeveria rajonale e Irlandës së Veriut ka thirrur një mbledhje emergjente për situatën.






