
Modelja Jennifer An, ish-konkurrente e emisionit America’s Next Top Model, ka ngritur një padi civile ndaj reperit Kanye West, duke pretenduar se ai e sulmoi gjatë xhirimeve të një videoklipi në Nju Jork në vitin 2010.
Në një intervistë për podcastin e BBC-së Fame Under Fire, An deklaroi se gjatë xhirimeve të videoklipit të këngës In For The Kill të grupit La Roux, West e kapi nga fyti dhe i futi gishtat në gojë për të simuluar një skenë seksuale pa pëlqimin e saj.

“U ndjeva e mbytur, e pasigurt dhe e frikësuar”, tha modelja, duke shtuar se nuk kishte marrë asnjë udhëzim paraprak për atë që do të ndodhte gjatë xhirimeve.
Sipas saj, reperi ndërpreu xhirimet e planifikuara, organizoi një skenë të re dhe nisi veprimet që ajo i konsideron sulm fizik dhe poshtërim. An pretendon se askush nga stafi nuk ndërhyri gjatë incidentit.
“Papritur ai më kapi nga fyti me njërën dorë, më pas me të dyja. Filloi të më prishte grimin dhe të më fuste duart në gojë. Nuk e kuptoja çfarë po ndodhte”, deklaroi ajo.
Padia u depozitua në vitin 2024 në bazë të legjislacionit të Nju Jorkut për dhunën me bazë gjinore. Avokatët e West nuk e mohojnë se incidenti ka ndodhur, por argumentojnë se bëhej fjalë për një performancë artistike provokuese të frymëzuar nga filmi American Psycho.
Sipas mbrojtjes, modelja nuk kundërshtoi në momentin e ngjarjes dhe ishte pjesë e një skene artistike. Ata kërkojnë rrëzimin e padisë duke argumentuar se veprimet e artistit mbrohen nga liria e shprehjes.
Ndërkohë, këngëtarja La Roux, sipas mesazheve të paraqitura në gjykatë, e ka cilësuar incidentin si “të tmerrshëm” dhe ka deklaruar se nuk e ka harruar kurrë atë që ndodhi në set.
Çështja ende nuk ka kaluar në gjykim dhe pritet të shqyrtohet nga gjykatat amerikane në muajt e ardhshëm.






