
Aktori i njohur Robert Ndrenika është shfaqur këtë të premte në ambientet e gjykatës, ku po shqyrtohet padia e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për pavlefshmërinë e emërimit të prokurorit Ols Dado.
Prania e aktorit të madh në sallën e gjyqit ka tërhequr vëmendje, por edhe momenti emocional gjatë takimit me Veliajn.
Sipas pamjeve të publikuara, sapo hyri në sallë, Robert Ndrenika iu afrua kryebashkiakut dhe i tha: “Ç’të mbetet nga burgu, do ta bëj unë”.
Veliaj iu përgjigj menjëherë me fjalën: “Jooo”, ndërsa aktori e përqafoi dhe e puthi në ballë. Në ato momente, kryebashkiaku i Tiranës dëgjohet duke i thënë: “Mos qaj”.
Seanca gjyqësore lidhet me padinë e Veliajt për kundërshtimin e emërimit të prokurorit Ols Dado, ndërsa kryebashkiaku mbërriti në gjykatë i shoqëruar nga efektivë të Burgjeve.
Momenti mes Ndrenikës dhe Veliajt është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale dhe ka ngjallur reagime të shumta.






