
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se armëpushimi mes SHBA-së dhe Iranit mbetet ende në fuqi, edhe pse gjatë orëve të fundit pati një përplasje të fortë ushtarake në Ngushticën e Hormuzit mes forcave iraniane dhe anijeve luftarake amerikane.
Sipas ushtrisë amerikane, Irani sulmoi tre destrojerë amerikanë me raketa, dronë dhe mjete të vogla detare, në atë që Uashingtoni e cilësoi si një “sulm të paprovokuar”.
Trump reagoi ashpër pas incidentit, duke deklaruar se Irani “luajti me zjarrin” dhe paralajmëroi se SHBA do të godasë edhe më fort nëse Teherani nuk pranon marrëveshjen e propozuar nga amerikanët.
“Siç i shkatërruam sot, do t’i godasim shumë më fort dhe më dhunshëm në të ardhmen nëse nuk e firmosin marrëveshjen shpejt”, shkroi Trump në Truth Social.
Nga ana tjetër, komanda e lartë ushtarake iraniane akuzoi SHBA-në për shkelje të armëpushimit, duke pretenduar se forcat amerikane kishin sulmuar një cisternë nafte iraniane dhe disa zona bregdetare pranë Bandar Khamir, Sirik dhe ishullit Qeshm.
Sipas Teheranit, Irani iu përgjigj menjëherë sulmeve duke goditur anijet ushtarake amerikane dhe duke shkaktuar “dëme të konsiderueshme”.
Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) deklaroi se forcat amerikane neutralizuan raketat dhe dronët iranianë dhe më pas goditën objektiva ushtarake iraniane, përfshirë baza raketash, pika komandimi dhe sisteme vëzhgimi.
Në një tjetër zhvillim shqetësues, Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan se sistemet e tyre të mbrojtjes ajrore po përballeshin me sulme me raketa dhe dronë nga Irani.
Përplasja ndodh vetëm një ditë pasi Irani kishte deklaruar se po shqyrtonte një propozim amerikan për t’i dhënë fund luftës. Sipas mediave amerikane, Shtëpia e Bardhë po negocion një memorandum me 14 pika që mund të hapë rrugën për marrëveshje të reja mbi programin bërthamor iranian.
Megjithatë, zyrtarë të lartë iranianë kanë refuzuar publikisht planin amerikan. Zëdhënësi i komisionit parlamentar për sigurinë kombëtare, Ebrahim Rezaei, deklaroi se Irani “e ka gishtin te këmbëza” dhe paralajmëroi një reagim të ashpër nëse SHBA nuk “dorëzohet dhe nuk pranon kushtet e nevojshme”.
Pavarësisht tensioneve, Trump vazhdon të insistojë se lufta mund të marrë fund shpejt, ndërsa negociatat mbeten tepër të brishta.






