
Partia Demokratike pritet të zhvillojë mbrëmjen e kësaj të premteje protestën e radhës para Kryeministrisë, ndërsa deputeti demokrat Gjin Gjoni paralajmëroi se opozita mund të përshkallëzojë aksionin politik deri në grevë urie.
I ftuar në emisionin “Off the Record” në A2 CNN, Gjoni deklaroi se protestat duhet të jenë “të qëndrueshme dhe konsistente”, ndërsa kërkoi angazhim më të madh nga deputetët opozitarë.
“Asnjë nga format e tjera të protestës s’është eliminuar. Kam sugjeruar protesta të qëndrueshme, konsistente, ku deputetët duhet të japin kontribut më të madh, pse jo të futen edhe në grevë urie”, u shpreh ai.
Deputeti i PD tha se opozita nuk do të bëjë publik skenarin e protestës dhe se zhvillimet do të varen nga situata në terren gjatë tubimit.
“Siç e deklaroi edhe kryetari i PD, ne s’do japim skenarin e protestës online. Protesta do ketë zhvillimet e veta në varësi të skenarëve që do ndërtohen në momentin dhe situatën e caktuar”, deklaroi Gjoni.
Ai foli edhe për mbështetje dhe sinjale pozitive nga ndërkombëtarët, duke lënë të kuptohet se opozita është në kontakt me faktorë të jashtëm për zhvillimet politike në vend.
“Sinjalet janë pozitive nga gjithë faktorët dhe aktorët me të cilët jemi në kontakt, qoftë edhe me faktorin ndërkombëtar, që gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur”, shtoi deputeti demokrat.
Ndërkohë, Ambasada e SHBA në Tiranë publikoi një njoftim sigurie për qytetarët amerikanë, duke paralajmëruar për protestën e opozitës dhe mundësinë e tensioneve gjatë tubimit.
Ambasada u kërkoi qytetarëve amerikanë të shmangin zonën e protestës dhe të tregojnë kujdes të shtuar, ndërsa theksoi se “edhe pse protestat dhe grumbullimet e mëdha shpesh nisin në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë shpejt”.
Nga ana tjetër, Policia e Shtetit ka njoftuar masa të forta sigurie dhe bllokim të disa akseve kryesore në Tiranë. Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deklaroi se protesta është autorizuar vetëm në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe paralajmëroi se çdo shkelje do të trajtohet sipas ligjit.
Sipas policisë, nga ora 15:00 do të bllokohet qarkullimi në segmentin nga Ministria e Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në disa rrugë përreth.






