
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas nisjes së procedurës për zgjidhjen e kontratës së koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke paralajmëruar se vendimi mund t’i kushtojë shtetit shqiptar të paktën 500 milionë euro.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se, nëse çështja përfundon në arbitrazh ndërkombëtar, fatura do të rëndojë mbi taksapaguesit shqiptarë. Sipas tij, kontrata po prishet për interesa korruptive dhe jo për arsye ligjore.
Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama, zv/kryeministren Belinda Balluku dhe ministrin Taulant Balla se kanë tentuar të ndërhyjnë në strukturën e aksioneve të kompanisë koncesionare, pretendime që nuk i shoqëroi me prova publike.
Kreu i opozitës kritikoi edhe deklaratat e mëparshme të Ballukut për Aeroportin e Vlorës, duke ironizuar premtimin se ai do të ishte “aeroporti më i madh në Ballkan”, ndërsa e cilësoi zgjidhjen e kontratës si një vendim që, sipas tij, do të ketë pasoja të rënda financiare për qytetarët.





