Shqipëria ka vënë në funksion avionin e parë zjarrfikës, i cili do të përdoret për ndërhyrjet nga ajri në përballimin e zjarreve gjatë sezonit veror.
Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale, ku theksoi se mjeti i ri i bashkohet forcave të angazhuara në terren në një periudhë që ai e cilësoi si veçanërisht sfiduese për shkak të temperaturave të larta dhe rrezikut të zjarreve.
“Avioni i parë zjarrfikës ka nisur aktivitetin si forcë e shtuar e këtij gushti sfidues, i cili na gjen më të fortë e më të përgatitur se asnjëherë më parë, por edhe plotësisht të vetëdijshëm për rrezikun e përshkallëzimeve ekstreme të zjarreve, siç po ndodh në disa vende të mëdha të Europës”, shkroi Rama.
Kryeministri shprehu mirënjohje për të gjitha strukturat e angazhuara në operacionet kundër zjarreve.
Më 27 korrik, gjatë një takimi me efektivët e angazhuar në mbrojtjen civile në Bazën Ajrore të Farkës, Rama njoftoi se Shqipëria do të pajiset me tre avionë zjarrfikës brenda këtij viti. Sipas tij, është parashikuar gjithashtu një mekanizëm që mundëson vënien në dispozicion të mjeteve të tjera ajrore në raste emergjente.






