
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj mazhorancës gjatë seancës së sotme parlamentare, duke pretenduar se ekzistojnë materiale komprometuese që lidhen me figura të Partisë Socialiste dhe Gys Agasin.
Duke iu drejtuar deputetëve socialistë, Berisha e lidhi deklaratën edhe me çështjen e videove të Adi Hilës, e cila prej ditësh ka shkaktuar debat publik.
“Ato videot e Adi Hilës janë lule para atyre që janë videot e Gys Agasit me ju. Videot e Gys Agasit janë turpi i turpeve të njerëzimit dhe do dalin”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së nuk paraqiti në sallë prova për pretendimet e tij, por paralajmëroi se materialet për të cilat foli do të bëhen publike.
“Mos qeshni, se jeni aty. Arkivi juaj i krimit nuk ka fund”, vijoi ai.
Deklaratat erdhën ndërsa Berisha kritikonte mazhorancën për refuzimin e një debati parlamentar lidhur me çështjen e ish-kreut të SHISH, Vlora Hyseni. Sipas tij, socialistët po shmangin transparencën për çështje që lidhen me sigurinë kombëtare.
Akuzat për ekzistencën e videove të përmendura nga Berisha mbeten pretendime politike dhe deri tani nuk janë shoqëruar me prova publike që t’i konfirmojnë ato.






