Komisioni Europian po përgatitet të mbështesë zyrtarisht objektivin e Shqipërisë për të përfunduar negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian deri në fund të vitit 2027.

Sipas Euronews, Komisioni synon të miratojë një udhërrëfyes të ri për Shqipërinë, ku për herë të parë do të përcaktohet qartë objektivi i vitit 2027, së bashku me etapat kryesore që Tirana duhet të përmbushë për të mbyllur procesin negociues.

Plani parashikon që deri në dhjetor 2027 Shqipëria të ketë përfunduar pjesën teknike të negociatave dhe mbylljen e kapitujve. Tirana e ka artikuluar prej kohësh këtë objektiv, ndërsa tashmë ai pritet të përfshihet në dokumentet e Komisionit Europian.

Udhërrëfyesi do të përcaktojë edhe rezultatet konkrete që Shqipëria duhet të arrijë për të përmbushur kriteret e mbetura. Një nga fushat kryesore do të vazhdojë të jetë shteti i së drejtës dhe zbatimi i reformave të kërkuara nga Bashkimi Europian.

Deri tani, Brukseli ka shmangur përcaktimin e afateve të ngurta për vendet kandidate, duke këmbëngulur se procesi i zgjerimit duhet të mbështetet te meritat dhe përmbushja e kritereve.

Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, ka deklaruar më herët se sa më shumë një vend i afrohet përfundimit të pjesës teknike të procesit, aq më e mundur bëhet përcaktimi i një horizonti kohor. Edhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka paralajmëruar hartimin e udhërrëfyesve të posaçëm për vendet kandidate që kanë bërë përparimin më të madh.

Modeli që pritet të përdoret për Shqipërinë është aplikuar më parë me Malin e Zi dhe bazohet në përcaktimin e rezultateve konkrete që duhen arritur për mbylljen e negociatave.

Udhërrëfyesi pritet të jetë pjesë e paketës së ardhshme të zgjerimit të Komisionit Europian.

Afati i vitit 2027 lidhet me përfundimin e negociatave dhe mbylljen e kapitujve. Ai nuk nënkupton automatikisht se Shqipëria do të bëhet anëtare e Bashkimit Europian në vitin 2027, pasi pas përfundimit të negociatave nevojiten edhe procedurat e tjera për anëtarësimin.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu