Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër pas sulmit verbal ndaj deputetes Arbana Pasholli në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, duke e cilësuar ngjarjen si pasqyrim të mentalitetit politik të qeverisë VMRO-VLEN-ZNAM dhe jo si një incident të izoluar.

Në një deklaratë për mediat, BDI akuzon ministrin Ivan Stoilkoviq për sjellje fyese ndaj përfaqësuesve shqiptarë dhe kritikon faktin që ai është promovuar në një post edhe më të rëndësishëm qeveritar.

“Sulmi verbal ndaj Arbana Pashollit nuk është incident i rastësishëm. Ai është pasqyrë e vërtetë e mentalitetit politik që përfaqëson sot Qeveria VMRO-VLEN-ZNAM, e cila fyen, nënçmon dhe sulmon përfaqësuesit legjitimë të shqiptarëve”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Partia opozitare kritikoi gjithashtu deputetët e koalicionit VLEN, duke theksuar se votat e tyre mundësuan emërimin e Stoilkoviqit ministër.

“Deputetët e VLEN-it nuk mund të pretendojnë se mbrojnë interesat e shqiptarëve, ndërsa votojnë për ngritjen në detyrë të një politikani me qëndrime të hapura antishqiptare. Heshtja dhe vota e tyre janë bashkëfajësi politike”, deklaron BDI.

Sipas BDI-së, rasti nuk prek vetëm deputeten Arbana Pasholli, por dinjitetin e grave në politikë dhe përfaqësimin politik të shqiptarëve.

Reagimi vjen pasi gjatë seancës parlamentare për rindërtimin e Qeverisë, Ivan Stoilkoviq u akuzua për fyerje dhe sulme verbale ndaj disa deputetëve, përfshirë Arbana Pashollin. Për incidentin kërkoi falje kryeministri Hristijan Mickoski, ndërsa vetë Stoilkoviq nuk kërkoi ndjesë.

Në shenjë proteste, deputetët e LSDM-së, BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët braktisën seancën parlamentare.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu