Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, deklaroi pas dëshmisë së tij në Gjykatën e Posaçme se fakti që në bankën e të akuzuarve ndodhen ish-zyrtarë të lartë të shtetit është një zhvillim pozitiv për drejtësinë në vend.

Balla theksoi se procesi duhet të jetë i drejtë dhe përgjegjësia penale të shkojë tek çdo person që ka shkelur ligjin. Ai nënvizoi se kallëzimin për çështjen “Partizani” e ka bërë personalisht që në vitin 2020 dhe se i ka qëndruar atij gjatë gjithë kohës.

Sipas tij, privatizimi i kompleksit sportiv “Partizani” ka sjellë pasoja të rënda, duke u shndërruar nga hapësira sportive për të rinjtë në zhvillime ndërtimore me kulla që kanë gjeneruar pasuri.

Deputeti socialist foli edhe për çështjen e 21 janarit, duke shprehur shpresën që hetimet të avancojnë dhe ai të thirret si dëshmitar, duke qenë se ka qenë i pranishëm në protestën e asaj dite. Ai kujtoi se ekzistojnë vendime të Gjykatës së Lartë dhe të Strasburgut për këtë ngjarje, si dhe një procedim penal i regjistruar nga Prokuroria e Posaçme.

I pyetur mbi mënyrën si ka siguruar të dhënat për kallëzimin, në raport me pretendimet e Jamarbër Malltezi, Balla refuzoi të komentojë detaje nga dëshmia, duke theksuar se gjithçka është thënë në sallën e gjyqit.

Sa i takon rolit të figurave të tjera politike, përfshirë kryeministrin Edi Rama, Balla u shpreh se paraqitja në gjykatë është përgjegjësi individuale, ndërsa për kallëzimet e tij ai mban përgjegjësi personale.

Në lidhje me hetimet e SPAK për çështjen “Partizani”, ai deklaroi se është i kënaqur me ecurinë, duke shtuar se nuk ka ndërhyrje politike në punën e Prokurorisë së Posaçme.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu