
Kryeministri Edi Rama do të presë këtë të martë në Tiranë Presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa, në kuadër të turit të tij diplomatik në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Vizita zhvillohet pak ditë përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet më 5 qershor në Tivat të Malit të Zi dhe synon të riafirmojë angazhimin e Bashkimit Europian për forcimin e marrëdhënieve me rajonin.
Sipas njoftimit të Agjencisë për Media dhe Informim, pas ceremonisë së pritjes do të zhvillohet një takim bilateral mes delegacioneve të Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.
Takimi mes dy delegacioneve është parashikuar të nisë në orën 11:15 dhe të përfundojë në orën 12:00.
Më pas, në orën 12:15, Kryeministri Rama dhe Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Vizita e Costës në Tiranë është pjesë e një turi rajonal në Ballkanin Perëndimor, në një moment kur Bashkimi Europian po intensifikon dialogun me vendet aspirante për anëtarësim dhe pak ditë përpara samitit rajonal në Mal të Zi.






