Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor nuk duhet të shihen më vetëm përmes perspektivës së zgjerimit të Bashkimit Europian, por si një destinacion i ri për investimet, inovacionin dhe prodhimin europian.

Në përmbyllje të Konferencës Ndërkombëtare të Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, të zhvilluar në Tiranë, Rama prezantoi potencialin ekonomik të Shqipërisë dhe objektivat e zhvillimit për vitet e ardhshme.

“Një dekadë më parë, kjo ishte një ekonomi 10 miliardë euro, sot është një ekonomi 30 miliardë euro. Thuajse e kemi trefishuar dhe ambicia jonë është që deri në 2040 ta dyfishojmë sërish”, deklaroi kryeministri.

Rama njoftoi gjithashtu se Shqipëria do të përfitojë më shumë mbështetje financiare nga Plani i Rritjes i Bashkimit Europian, duke e lidhur këtë me përmbushjen e reformave dhe angazhimeve të ndërmarra në procesin e integrimit.

“Shqipëria do të marrë më shumë mbështetje nga Plani i Ri i Rritjes, jo si nder apo si favor, por sepse kemi bërë detyrat tona të shtëpisë dhe e kemi merituar notën”, u shpreh ai.

Kryeministri evidentoi edhe buxhetin e vitit 2027, i cili për herë të parë arrin në 10 miliardë euro, një vlerë që, sipas tij, ishte e barabartë me të gjithë ekonominë shqiptare një dekadë më parë. Ai theksoi karakterin social të buxhetit, mbështetjen për bizneset e vogla dhe politikat për strehimin e përballueshëm.

Në konferencë u evidentuan disa instrumente financiare për zhvillimin e rajonit, mes të cilave 40 milionë euro për ndarjen e rrezikut në bujqësi, 58,7 milionë euro shtesë në kuadër të programit “Rritje për të gjithë” të BERZH-it, 40 milionë euro në garanci financiare, si dhe programi për energjinë e rinovueshme, me synimin për të mobilizuar rreth 1 miliard euro investime në Ballkanin Perëndimor.

Rama identifikoi teknologjinë e avancuar, inteligjencën artificiale, energjinë, infrastrukturën digjitale dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor si shtyllat e ekonomisë së së ardhmes.

Ai u bëri thirrje investitorëve ndërkombëtarë që, krahas investimeve në Shqipëri, të kontribuojnë edhe në formimin profesional dhe zhvillimin e aftësive të të rinjve.

“Investoni në vendin tonë, por investoni edhe te njerëzit tanë. Këto duhet të shkojnë krah për krah”, theksoi kryeministri.

Sipas Ramës, përfshirja e ekonomive të Ballkanit Perëndimor në zinxhirët europianë të prodhimit përbën një investim strategjik edhe për sigurinë ekonomike dhe konkurrueshmërinë e vetë Bashkimit Europian.

“Nuk mund ta zgjidhësh ekuacionin e konkurrueshmërisë së Europës duke lënë jashtë Ballkanin Perëndimor. Ballkani Perëndimor nuk është mundësia e Europës dikur në të ardhmen, është mundësia e Europës sot”, përfundoi Rama.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu