
Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, po promovon një nismë për zgjerimin e mundësive të strehimit për familjet që kanë kafshë shtëpiake, me synimin që askush të mos detyrohet të zgjedhë mes një çatie mbi kokë dhe kafshës së tij.
Sipas një postimi të faqes Love Your Cat, nisma synon të shtojë banesat dhe strehëzat që pranojnë kafshë shtëpiake në qytet.
Për shumë familje, veçanërisht ato që përballen me vështirësi ekonomike ose rrezikojnë të mbeten pa strehë, gjetja e një banese ku lejohen macet dhe qentë mbetet një sfidë.
Postimi thekson se Nju Jorku ka hapur së fundmi një strehëz familjare që pranon edhe kafshët shtëpiake, duke u dhënë mundësi familjeve në nevojë të qëndrojnë së bashku me to, pa qenë të detyruara t’i dorëzojnë për adoptim apo t’i braktisin.
Nisma mbështetet në idenë se kafshët shtëpiake janë pjesë e familjes dhe se humbja e banesës nuk duhet të shoqërohet edhe me ndarjen prej tyre.






