
Këshilli i Etikës ka vendosur përjashtimin për 60 ditë nga punimet e Kuvendit të deputetëve demokratë Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu. Masa ishte kundërshtuar nga përfaqësuesit e opozitës, të cilët argumentuan se kërkesa e Partisë Socialiste binte ndesh me Rregulloren e Kuvendit.
Deputetët e PD-së, Saimir Korreshi dhe Blendi Himçi, në qëndrimin e paraqitur në Këshillin e Etikës, e cilësuan kërkesën e socialistëve si një përpjekje për të vendosur një dënim pa bazë ligjore, duke e krahasuar me praktikat e periudhës komuniste.
Sipas tyre, veprimet që u atribuohen Bardhit dhe Balliut mund të ndëshkohen me përjashtim deri në 10 ditë kalendarike, por jo me masën 60-ditore të kërkuar nga mazhoranca.
Partia Socialiste kishte kërkuar ndëshkimin e Gazment Bardhit, duke pretenduar se gjatë seancës plenare ai kishte përdorur gjuhë fyese dhe kishte hedhur disa herë shishe uji në drejtim të kryetarit të Kuvendit, kryeministrit, ministrave dhe deputetëve socialistë.
Ndërsa Klevis Balliu akuzohej nga socialistët se kishte hedhur vezë në drejtim të përfaqësuesve të mazhorancës dhe kishte përdorur një pajisje zhurmuese, duke penguar zhvillimin normal të seancës.
Por Korreshi dhe Himçi argumentuan se neni 65/1 i Rregullores së Kuvendit bën një dallim të qartë mes shkeljeve që dënohen deri në 10 ditë dhe atyre që mund të sjellin përjashtimin deri në 60 ditë.
Sipas interpretimit të tyre, masa më e rëndë parashikohet për përdorimin e mjeteve piroteknike, lëndëve tymuese, bojërave dhe materialeve të ngjashme brenda Kuvendit.
Demokratët theksuan se në kërkesën e socialistëve nuk përmendet përdorimi i mjeteve të tilla nga dy deputetët.
Për këtë arsye, ata kërkuan rrëzimin e kërkesës, duke pretenduar se mazhoranca kishte bërë një klasifikim të gabuar të shkeljeve dhe të sanksioneve përkatëse.
Pavarësisht kundërshtimeve, Këshilli i Etikës vendosi masën 60-ditore të përjashtimit, duke thelluar përplasjen mes mazhorancës dhe opozitës për mënyrën e zbatimit të Rregullores së Kuvendit.






