
Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e dyfishtë në Livoç të Ulët të Gjilanit, ku një grua dhe vëllai i saj humbën jetën, ndërsa një person i tretë mbeti i plagosur.
Policia e Kosovës ka kryer bastisje në shtëpitë dhe pronat e të dyshuarit, ku janë gjetur dhe sekuestruar dy armë të gjata me leje të skaduar, një pistoletë pa leje dhe një armë pneumatike.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar gjithashtu 520 fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe 1,600 diabolla për pushkë pneumatike. Si prova materiale janë marrë edhe disa telefona celularë dhe pajisje DVR të kamerave të sigurisë.
Sipas Policisë, ngjarja ndodhi më 9 tetor, rreth orës 14:26. I dyshuari qëlloi me armë zjarri tre persona: bashkëshorten e tij, vëllain e saj dhe djalin e xhaxhait të bashkëshortes.
Gruaja dhe vëllai i saj humbën jetën, ndërsa personi i tretë mbeti i plagosur dhe u transportua për ndihmë mjekësore.
Në vendngjarje janë sekuestruar katër fishekë, 21 gëzhoja dhe pesë predha. Brenda automjetit të të dyshuarit është gjetur edhe një pistoletë, e cila dyshohet se është përdorur në krim dhe për të cilën ai kishte leje të skaduar.
Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa trupat e dy viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të motivit dhe rrethanave të ngjarjes.





