Të gjithë 63 minatorët që mbetën të ngujuar në minierën e Trepçës gjatë mbrëmjes së së mërkurës kanë arritur të dalin në sipërfaqe.

Ngjarja u shkaktua nga një defekt në furnizimin me energji elektrike, i cili pamundësoi daljen e minatorëve në mënyrën e zakonshme.

Drejtori i minierës së Stantërgut, Shyqyri Sadiku, konfirmoi se minatorët dolën rreth orës 02:45 të mëngjesit dhe se gjendja e tyre shëndetësore është e mirë.

“Po, kanë dalë në 02:45 të mëngjesit. Mirë është gjendja e tyre shëndetësore”, tha Sadiku.

Minatorët i përkisnin ndërrimit të dytë dhe kishin mbetur të bllokuar në horizontet e minierës pas ndërprerjes së energjisë.

Për shkak të situatës, një pjesë e tyre kishin nisur të përdornin edhe shkallët emergjente për të dalë nga miniera.

Në vendngjarje ndodheshin edhe ekipet mjekësore, ndërsa operacioni për nxjerrjen e minatorëve përfundoi pa pasoja për shëndetin e tyre.

Rasti rikthen vëmendjen te problemet me furnizimin me energji në Trepçë, pasi edhe më herët gjatë këtij viti janë raportuar raste të minatorëve të bllokuar nëntokë për shkak të defekteve të ngjashme.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu