Çështja e videove intime të publikuara së fundmi ka kaluar zyrtarisht në Prokurorinë e Tiranës, ku pas hedhjes së shortit hetimi do të ndiqet nga prokurori Julian Xhengo.

Sipas informacioneve të bëra publike nga gazetarja Anila Hoxha, deri më tani janë depozituar dy kallëzime në polici. Kompozitori Adi Hila ka pretenduar se është hakeruar, ndërsa këngëtarja Eli Fara ka kallëzuar cenimin e privatësisë.

Në bazë të këtyre kallëzimeve, hetimet po zhvillohen për disa vepra penale që lidhen me hyrjen e paautorizuar në sistemet kompjuterike, përgjimin e paligjshëm të të dhënave dhe keqpërdorimin e pajisjeve kompjuterike.

Çështja është zgjeruar edhe me një tjetër pistë hetimore, atë të veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Në qendër të kësaj pjese të hetimit është një hard-disk i lidhur me kamerën që dyshohet se ka regjistruar pamjet. Policia, pasi e ka sekuestruar pajisjen, ka konstatuar se ajo ishte e dëmtuar.

Sipas të njëjtave informacione, Hila ka deklaruar se hard-diskun e kishte shkatërruar vetë, pasi dyshonte se mund të kishte ndërhyrje të tjera në distancë dhe se të dhënat mund të merreshin sërish.

Një ditë më parë edhe aktorja Monika Lubonja bëri të ditur publikisht se i është drejtuar drejtësisë, duke deklaruar se nuk kishte dijeni dhe nuk kishte dhënë pëlqim për regjistrimin e materialeve intime.

Pas marrjes së dosjes, Prokuroria e Tiranës pritet t’i delegojë policisë detyra të tjera hetimore për të përcaktuar si janë realizuar regjistrimet, si kanë dalë materialet nga pajisjet ku ruheshin dhe kush ka përgjegjësi për shpërndarjen e tyre.

Hetimet janë në fazë paraprake dhe përgjegjësitë penale mbeten për t’u përcaktuar nga organet kompetente.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu