
Vera po bëhet më e gjatë dhe më e nxehtë në Shqipëri. Të dhënat e publikuara nga Copernicus Climate Change Service tregojnë se gjatë verës së vitit 2026 vendi u përfshi në zonën e Europës Jugore me temperatura dukshëm mbi normalen, ndërsa periudha me temperatura mbi 25°C mund të jetë zgjatur deri në 25 ditë.
Gjatë muajve qershor-gusht, temperatura mesatare e ajrit në Shqipëri rezultoi rreth 1 deri në 2.5°C mbi mesataren e periudhës 1991-2020, me anomali edhe më të larta në zona të caktuara.
Por problemi nuk ishte vetëm temperatura e matur nga termometri. Shqipëria u përfshi edhe në zonat ku u regjistrua “stres shumë i fortë nga nxehtësia”. Ky klasifikim përdoret kur indeksi UTCI, që llogarit temperaturën e perceptuar nga trupi duke përfshirë lagështinë, erën dhe rrezatimin diellor, arrin në intervalin 38-46°C.
Situata u rëndua në pjesën e fundit të verës edhe nga mungesa e reshjeve. Gushti rezultoi dukshëm më i thatë, ndërsa disa zona të Shqipërisë u renditën në kategoritë me reshje nën ose shumë nën mesataren historike.
Copernicus evidenton se deficitet më të forta të reshjeve dhe lagështisë së tokës gjatë gushtit u përqendruan në Europën Juglindore. Në një pjesë të madhe të Ballkanit, lagështia e tokës zbriti në nivele rekord, duke rritur edhe ekspozimin ndaj thatësirës dhe zjarreve.
Në të gjithë Europën, vera e vitit 2026 ishte 1.17°C më e ngrohtë se mesatarja e periudhës 1991-2020 dhe u rendit si vera e tretë më e ngrohtë e regjistruar në serinë e të dhënave ERA5.
Raporti përshkruan një verë europiane me nxehtësi të pazakontë dhe të zgjatur, thatësirë, prurje të ulëta të lumenjve dhe aktivitet të shtuar të zjarreve – fenomene që prekën drejtpërdrejt edhe Shqipërinë.






