
Nëna Ferdonije Qerkezi ka protestuar në Gjakovë kundër vendimit të Gjykatës Speciale me të njëjtin simbol me të cilin shqiptarët e kanë njohur prej vitesh: tavolinën e familjes së saj.
Pas luftës, Ferdonije Qerkezi u bë e njohur edhe për pamjet e sofrës së shtruar në shtëpi dhe pjatat e vendosura për bashkëshortin dhe katër djemtë e saj, të zhdukur gjatë luftës. Tavolina bosh është shfaqur ndër vite në kronika televizive dhe dokumentarë kushtuar historisë së saj, duke u kthyer në një simbol të pritjes dhe dhimbjes së një nëne për familjen që nuk u kthye.
Dhe pikërisht me një tavolinë të tillë Nëna Ferdonije është shfaqur këtë të diel në protestën e Gjakovës kundër verdiktit të Speciales.
Ajo ka shtruar përsëri sofrën, duke sjellë në protestë një nga imazhet më të njohura të historisë së saj personale dhe të kujtesës së luftës në Kosovë.
Këtë herë tavolina bosh nuk qëndronte brenda shtëpisë së saj. Nëna Ferdonije e kishte nxjerrë atë në protestë.






