Zviceranët kanë refuzuar me shumicë të gjerë propozimin për ta bërë edhe më të rreptë neutralitetin e vendit, një ndryshim që do të kishte kufizuar ndjeshëm mundësinë e Bernës për të vendosur sanksione ndërkombëtare.

Sipas rezultateve të referendumit të së dielës, 71% e votuesve u shprehën kundër nismës për përfshirjen në Kushtetutë të një përkufizimi më strikt të neutralitetit të Zvicrës.

Një nga pasojat kryesore të miratimit të propozimit do të ishte pamundësia që Zvicra të vendoste sanksione ndaj Rusisë, përveç rasteve kur ato do të miratoheshin nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Rusia, si anëtare e përhershme e Këshillit, ka të drejtën e vetos.

Zvicra ruan prej shekujsh statusin e neutralitetit dhe nuk merr pjesë në luftëra apo në aleanca ushtarake. Megjithatë, qeveria ka hapësirë për të vendosur sanksione ekonomike dhe për të bashkëpunuar me organizata ndërkombëtare të sigurisë.

Pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, Berna iu bashkua një pjese të madhe të sanksioneve të Bashkimit Europian kundër Moskës. Pikërisht kjo politikë nxiti kundërshtarët e saj të kërkonin përcaktimin më të rreptë të neutralitetit.

Nisma ishte promovuar nga grupi konservator Pro Schweiz, ndërsa qeveria federale ishte pozicionuar kundër saj, duke argumentuar se kufizimet e reja do të zvogëlonin hapësirën e Zvicrës për të vepruar në politikën e jashtme.

Rezultati i referendumit do të thotë se politika aktuale mbetet në fuqi dhe Zvicra mund të vazhdojë të zbatojë sanksione ekonomike ndaj Rusisë.

Zvicra i thotë “JO” neutralitetit më të rreptë/ 71% kundër, mbeten në fuqi sanksionet ndaj Rusisë

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu