Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut kanë dalë sërish në protestë, duke akuzuar institucionet për zvarritje dhe mungesë reagimi ndaj kërkesës për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet universitare dhe institucionet shtetërore.

Një prej organizatorëve të protestës, Mevlan Ademi, deklaroi se edhe pas protestës së parë, të mbajtur më shumë se një muaj më parë, nuk ka pasur asnjë komunikim zyrtar nga autoritetet apo Ministria e Arsimit.

Sipas tij, studentët nuk protestojnë më vetëm për provimin e jurisprudencës, por për të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe në të gjitha fakultetet dhe profesionet.

“Po protestojmë për të gjitha provimet dhe për të gjithë studentët, për zbatimin e gjuhës shqipe në institucionet e Maqedonisë së Veriut. Arkitektura, mjekësia, psikologjia, ekonomia dhe juridiku vazhdojnë të mbahen vetëm në maqedonisht”, u shpreh Ademi.

Ai akuzoi institucionet se prej dy vitesh japin vetëm premtime dhe krijojnë “grupe pune”, ndërsa sipas tij Kushtetuta e RMV-së e njeh qartë gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare.

“Nuk e kemi të qartë pse duhen grupe pune kur gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në vend. Po kërkojmë vetëm zbatimin e ligjit”, tha organizatori i protestës.

Studentët kërkojnë jo vetëm të drejtën për të studiuar në shqip, por edhe mundësinë për të ushtruar profesionin në gjuhën amtare pas diplomimit.

Protesta e kësaj të diele në Shkup ka marrë mbështetje nga organizata studentore, deputetë shqiptarë, diaspora dhe grupe tifozësh shqiptarë nga rajoni, ndërsa organizatorët paralajmërojnë se reagimet do të vijojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu