
Pesë turistët italianë të zhdukur gjatë një zhytjeje dramatike në Maldive janë gjetur të pajetë në segmentin e tretë të të ashtuquajturës “Shpella e Peshkaqenëve”, një prej zonave më të rrezikshme dhe më të njohura për zhytjet teknike në Vaavu.
Sipas mediave italiane dhe autoriteteve maldiviane, grupi ishte futur në një sistem të ndërlikuar shpellash nënujore, në rreth 60 metra thellësi, gjatë një zhytjeje të konsideruar ekstremisht të vështirë edhe për profesionistët. Autoritetet thanë se leja u ishte dhënë vetëm për 50 metra. Trupat u lokalizuan pas disa orësh kërkimesh intensive në pjesën më të thellë të shpellës, ku zhytësit duhet të kalojnë korridore të ngushta shkëmbore dhe zona me errësirë totale.
Një operacion tjetër specifik për të nxjerrë trupat pritet më tej.
Një nga detajet më të pazakonta të ngjarjes është fakti se viktimat u gjetën në segmentin e tretë të shpellës, një zonë ku zakonisht lejohen vetëm zhytës me certifikime shumë të avancuara teknike dhe pajisje speciale për orientim në errësirë. Hetuesit po verifikojnë nëse grupi humbi orientimin për shkak të rrymave të forta detare apo mungesës së oksigjenit gjatë rikthimit.
Mes viktimave ndodhet edhe Monica Montefalcone, profesore e asociuar e ekologjisë në Universitetin e Genovas dhe një emër i njohur në studimet mbi mjedisin detar. Ajo kishte marrë pjesë në disa projekte ndërkombëtare për mbrojtjen e ekosistemeve nënujore dhe ishte e njohur edhe për daljet televizive në Itali.
Sipas rindërtimit paraprak, grupi ishte nisur nga një “safari boat”, një anije turistike për zhytje, pranë zonës së Alimathaa.
Autoritetet maldiviane po hetojnë nëse kushtet e motit, rrymat e forta apo një problem teknik gjatë eksplorimit të shpellës çuan në tragjedinë që ka tronditur Italinë.



