Bashkimi Europian pritet të diskutojë të martën raportin e ndërmjetëm për Shqipërinë, IBAR-in, dokument kyç për vijimin e negociatave të anëtarësimit. Në mbledhjen e grupit COELA, vendet anëtare do të shqyrtojnë draftin final, ndërsa burime diplomatike flasin për një dakordësi politike të arritur pas negociatave të gjata të zhvilluara që prej muajit shkurt.

Sipas raportimeve, Gjermania, Holanda dhe Rumania kanë kërkuar ashpërsim të kushteve për luftën kundër korrupsionit dhe lirinë e medias, ndërsa Greqia, Bullgaria dhe Rumania kanë insistuar për kritere më të forta mbi respektimin e pakicave kombëtare. Miratimi i IBAR-it do t’i hapte rrugë fazës së mbylljes së kapitujve negociues dhe objektivit të qeverisë për avancimin e procesit të integrimit gjatë këtij viti.

Pas dy muajsh diskutimesh në grupin e zgjerimit COELA, në Bruksel ka optimizëm se marrëveshja mund të finalizohet shumë shpejt.

Sipas burimeve europiane, në mbledhjen e fundit është shënuar “përparim i mirë” mbi draftin e pozicionit të përbashkët të BE-së për grupkapitullin e parë negociues. Edhe pse ende nuk ka dakordësi të plotë mes 27 vendeve anëtare, qëndrimet janë afruar ndjeshëm dhe diskutimet do të vijojnë më 19 maj.

Komisioni Europian i dorëzoi vendeve anëtare raportin IBAR në fund të shkurtit, duke vlerësuar se Shqipëria ka përmbushur detyrimet në fusha kyçe si drejtësia dhe sundimi i ligjit.

Miratimi i IBAR-it konsiderohet pengesa e fundit përpara hyrjes së negociatave në fazën e mbylljes së kapitujve. Në Shqipëri, diskutimet e zgjatura në Bruksel u shoqëruan me akuza politike për bllokim të procesit, por burimet europiane theksojnë se negociatat mes 27 vendeve kërkojnë kohë dhe janë pjesë normale e procedurës.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu