Ushtria izraelite ka njoftuar se ka vrarë në Gaza Saher Nidal Latfi Sakr, personin që sipas saj mori pjesë në rrëmbimin e Noa Argamanit, një prej pengjeve më të njohura të sulmit të 7 tetorit 2023.

Sipas IDF-së, Sakr ishte pjesëtar i organizatave xhihadiste ndërkombëtare që vepronin në Rripin e Gazës dhe gjatë luftës kishte furnizuar Hamasin me armë.

Ushtria izraelite pretendon se më 7 tetor 2023 ai hyri në territorin izraelit dhe drejtoi motorin me të cilin Noa Argamani dhe Avinatan Or u dërguan në Gaza, pasi u rrëmbyen gjatë sulmit në festivalin muzikor Nova.

Pamjet e rrëmbimit të Argamanit mbi një motor, ndërsa ajo kërkonte ndihmë, u përhapën në të gjithë botën dhe u shndërruan në një nga imazhet simbol të sulmit të 7 tetorit.

IDF deklaroi gjithashtu se kohët e fundit Sakr kishte qenë i përfshirë në promovimin e sulmeve kundër civilëve dhe ushtarëve izraelitë.

“Ai u eliminua për të neutralizuar kërcënimin që përfaqësonte”, njoftoi ushtria izraelite.

Noa Argamani u rrëmbye së bashku me partnerin e saj Avinatan Or gjatë sulmit në festivalin Nova. Argamani u lirua nga forcat izraelite gjatë një operacioni në Gaza në qershor 2024.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu