
Kryeministri Edi Rama deklaroi se Reforma në Drejtësi dhe pavarësia e sistemit të drejtësisë në Shqipëri nuk do të ishin realizuar pa vullnetin politik të Partisë Socialiste, duke theksuar se mbështetja e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian ka qenë e rëndësishme, por jo e mjaftueshme.
Në një adresim për qytetarët shqiptarë menjëherë pas kthimit nga Nju Jorku, Rama tha se PS mori përsipër kostot politike të reformës, pavarësisht se drejtësia e re do të hetonte edhe zyrtarë apo persona të lidhur me shumicën qeverisëse.
Sipas kryeministrit, reforma përbën një ndryshim historik, pasi për herë të parë sistemi institucional shqiptar po tregon aftësi për të hetuar dhe goditur edhe njerëz të veshur me pushtet. Rama pretendoi se autorësia politike e këtij procesi i takon atij dhe Partisë Socialiste.
“Pavarësia e drejtësisë nuk ra nga qielli. Nuk e solli koha. As Amerika apo Europa. Ata ndihmuan po, madje shumë, por pa mua dhe Partinë Socialiste ata do kishin bërë të njëjtin Noc Rrok që bënë me qeveritë e mëparshme”, deklaroi Rama.
Kryeministri argumentoi se fakti që drejtësia po prek ministra, ish-ministra, deputetë, kryetarë bashkish, drejtorë apo persona të lidhur me mazhorancën nuk duhet interpretuar, sipas tij, si provë se korrupsioni është rritur, por si tregues se institucionet e drejtësisë tashmë veprojnë në mënyrë të pavarur.
Rama e përkufizoi procesin aktual si “vetëpastrim” të sistemit, ndërsa pranoi se korrupsioni vazhdon të mbetet një problem. Sipas tij, ndryshimi është se sot ekzistojnë institucione që “hetojnë, akuzojnë, gjykojnë dhe konfiskojnë” në pavarësi nga pushteti politik.
Në fund të adresimit, kryeministri tha se procesi i Reformës në Drejtësi është i pakthyeshëm, duke e lidhur atë edhe me objektivin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Unë jam kthyer në Shqipëri, po Shqipëria nuk kthehet pas. Askush dhe asgjë nuk do ta ndalë, nuk do të na ndalë, nuk do të më ndalë”, përfundoi Rama.






