
Një tragjedi e rëndë ka goditur një familje shqiptare në Athinë, ku katër anëtarë të saj humbën jetën pas shpërthimit të fuqishëm dhe shembjes së një godine në zonën e Plakës.
Operacioni i kërkim-shpëtimit përfundoi me nxjerrjen nga rrënojat të gjashtë viktimave. Mes tyre janë Florinda Hoxha dhe bashkëshorti i saj, Ian Alexander Kirkpatrick. Ata ishin martuar së fundmi dhe ndodheshin në Greqi për muajin e mjaltit.

Tragjedia ka marrë përmasa edhe më të rënda, pasi në të njëjtën godinë ndodheshin edhe vëllai i Florindës, Florin Hoxha, dhe bashkëshortja e tij, Eris Çani. Edhe ata humbën jetën. Sipas informacioneve të publikuara, çifti ishte në pritje të një fëmije.
Dy viktimat e tjera janë një çift i moshuar që banonte në katin e dytë të ndërtesës.
Shpërthimi i fuqishëm ndodhi të premten, më 25 shtator, ndërsa forcat zjarrfikëse dhe ekipet e kërkim-shpëtimit punuan mes rrënojave për gjetjen e personave të zhdukur.
Autoritetet greke kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të tragjedisë. Dyshimet paraprake janë përqendruar te një rrjedhje e mundshme gazi, por ekspertët po shqyrtojnë provat e mbledhura në vendngjarje për të përcaktuar shkakun e saktë të shpërthimit.






