
Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka paralajmëruar rikthimin e tij në publik pas një periudhe të gjatë larg vëmendjes mediatike.
Në një postim në rrjetet sociale, Tahiri shfaqet në atë që duket si një ambient xhirimi, duke lënë të kuptohet se po përgatit një rrëfim për historinë e tij.
“Disa histori i kam jetuar. Disa të tjera i kam dëgjuar të tregohen për mua. Do shihemi së shpejti. Ka kaq shumë për të thënë!”, shkruan ish-ministri.
Nuk është bërë ende e qartë nëse bëhet fjalë për një dokumentar, intervistë apo një tjetër projekt, por paralajmërimi rikthen në vëmendje një prej figurave më të diskutuara të politikës shqiptare të dekadës së kaluar.
Nga deputet i PS-së te Ministria e Brendshme
Saimir Tahiri hyri në Kuvend në vitin 2009 si deputet i Partisë Socialiste për Tiranën. Gjatë viteve në opozitë mbajti poste drejtuese në strukturat socialiste, ndërsa pas fitores së PS-së në zgjedhjet e vitit 2013 u emërua ministër i Brendshëm në qeverinë e parë të Edi Ramës.
Tahiri e drejtoi Ministrinë e Brendshme nga shtatori 2013 deri në mars 2017. Gjatë mandatit të tij u zhvillua operacioni i madh policor në Lazarat, ndërsa më pas kultivimi dhe trafiku i kanabisit u shndërruan në një nga temat kryesore të debatit politik në vend.
Dosja Habilaj dhe largimi nga politika
Kthesa më e fortë në karrierën e Tahirit erdhi në vitin 2017. Hetimet e autoriteteve italiane ndaj grupit Habilaj për trafik ndërkombëtar droge sollën edhe emrin e ish-ministrit në qendër të hetimeve në Shqipëri.
Tahiri i mohoi akuzat.
Në tetor 2017, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi autorizimin e Kuvendit për arrestimin e tij, por Parlamenti nuk e miratoi kërkesën për arrest.
Në maj 2018, Tahiri dha dorëheqjen nga mandati i deputetit, duke deklaruar se do të përballej me drejtësinë si qytetar i zakonshëm dhe pa imunitetin parlamentar.
Dënimi për shpërdorim detyre
Procesi gjyqësor ndaj ish-ministrit zgjati disa vite dhe kaloi në disa shkallë të gjyqësorit.
Më 4 shkurt 2022, Apeli i GJKKO-së e shpalli Tahirin fajtor për “shpërdorim detyre”. Dënimi prej 5 vitesh burg u reduktua, për shkak të gjykimit të shkurtuar, në 3 vjet e 4 muaj burg.
Tahiri nuk u dënua për akuzat e trafikut të narkotikëve dhe grupit të strukturuar kriminal.
Pas shpalljes së vendimit, ish-ministri u dërgua menjëherë në qeli. Ai vuajti një pjesë të dënimit në burg dhe më pas u transferua në burgun e Kosovës në Lushnjë.
Dalja nga burgu
Më 2 qershor 2023, pas rreth 16 muajsh në qeli, Gjykata e Elbasanit vendosi që Tahiri të dilte nga burgu dhe pjesën e mbetur të dënimit ta kryente në banesë.
Vendimi u lidh me rrethanat familjare dhe nevojën për t’u kujdesur për fëmijët për shkak të gjendjes shëndetësore të bashkëshortes.
Pas kësaj periudhe, Tahiri qëndroi kryesisht larg jetës politike dhe daljeve publike.
Tashmë, disa vite pas largimit nga politika, hetimit, procesit gjyqësor dhe burgimit, ish-ministri sinjalizon se është gati të tregojë versionin e tij për atë që ka ndodhur.
“Ka kaq shumë për të thënë”, shkruan Tahiri, duke lënë të hapur pikëpyetjen se çfarë do të tregojë dhe në çfarë forme do të vijë rikthimi i tij publik.






