
Të kesh një qen apo mace në vend të fëmijëve po shndërrohet në një tendencë gjithnjë e më të përhapur, veçanërisht mes brezave të rinj. Fenomeni i njohur si “pet parenting” po ndryshon edhe mënyrën se si shumë njerëz e konceptojnë familjen.
Sipas të dhënave të raportit “State of Pets”, të cituara nga media italiane Leggo, nëse do të duhej të zgjidhnin mes një fëmije dhe një kafshe shtëpiake, 4 në 10 persona do të preferonin kafshën. Vetëm 21% do të zgjidhnin të kishin një fëmijë.
Tendenca është edhe më e dukshme mes Millennials dhe Generation Z. Rreth 55% e tyre pranojnë se kanë menduar të ndërtojnë jetën e tyre rreth një kafshe shtëpiake në vend të një fëmije.
Lidhja emocionale është gjithashtu shumë e fortë. Plot 83% e pronarëve të kafshëve deklarojnë se e konsiderojnë qenin apo macen e tyre si një fëmijë.
Fenomeni po përshkruhet si kalimi “nga djepet te shtretërit e kafshëve”, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se humanizimi i tepërt i qenve dhe maceve mund të bëhet problematik nëse pronarët harrojnë nevojat e tyre reale si kafshë.
“Pet parenting” po kthehet kështu në një fenomen social që prek jo vetëm marrëdhënien mes njerëzve dhe kafshëve, por edhe mënyrën se si brezat e rinj mendojnë për familjen dhe prindërimin.






