
Qeveria ka nisur punën për krijimin e një Këshilli Kombëtar për fëmijët me aftësi ndryshe, një nismë që kryeministri Edi Rama e kishte propozuar disa ditë më parë gjatë një takimi me prindër.
Në podkastin e tij “Flasim”, Rama tha se synimi është kalimi në një fazë të re të marrëdhënies së institucioneve me fëmijët me aftësi ndryshe dhe familjet e tyre, duke përfshirë drejtpërdrejt prindërit në procesin e vendimmarrjes.
Sipas kryeministrit, Këshilli Kombëtar do të përbëhet nga përfaqësues të institucioneve, prindër dhe mësues. Struktura pritet të shërbejë për të orientuar politikat dhe masat që do të ndërmerren në mbështetje të fëmijëve dhe familjeve të tyre.
“Ne duam të bëjmë më të mirën duke krijuar në radhë të parë një Këshill Kombëtar për fëmijët me aftësi ndryshe dhe pastaj duke vijuar më tutje përmes udhëheqjes, orientimeve dhe sugjerimeve të këtij Këshilli”, deklaroi Rama.
Kryeministri theksoi se në këtë mekanizëm synohet të angazhohen veçanërisht prindërit që prej vitesh janë pjesë aktive e përpjekjeve për përmirësimin e mbështetjes institucionale ndaj fëmijëve me aftësi ndryshe.
Nisma ishte paralajmëruar prej Ramës disa ditë më parë, ndërsa njoftimi i fundit konfirmon se qeveria ka nisur punën për ngritjen e strukturës.






