Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës ka miratuar unanimisht një deklaratë politike me tri pika pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

PDK e ka cilësuar aktgjykimin “thellësisht të padrejtë dhe tendencioz”, ndërsa ka kundërshtuar çdo interpretim që, sipas saj, cenon karakterin çlirimtar të luftës së UÇK-së ose e barazon atë me politikën e represionit të regjimit serb.

Në pikën e parë, partia kërkon nga Kuvendi i Kosovës votimin e projektligjit të propozuar prej saj për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Gjithashtu kërkohet rishikimi i legjislacionit dhe marrëveshjeve që lidhen me funksionimin e këtij mekanizmi, me synim forcimin e garancive procedurale dhe transparencës.

Pika e dytë kërkon që Qeveria dhe Kuvendi të sigurojnë mbështetje financiare “të pakufizuar”, si edhe asistencë profesionale dhe teknike për ekipet mbrojtëse të Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit në procedurat e mëtejshme, përfshirë procesin e apelit.

PDK kërkon gjithashtu angazhim diplomatik të institucioneve të Kosovës dhe komunikim me partnerët ndërkombëtarë për respektimin e standardeve të gjykimit të drejtë.

Në pikën e tretë, Këshilli Drejtues shpreh mbështetje për protestat kundër vendimeve të Dhomave të Specializuara dhe u bën thirrje qytetarëve të marrin pjesë në këto organizime.

Partia deklaron se do të vijojë, përmes mjeteve demokratike, institucionale dhe juridike, përpjekjet në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu