
Bashkimi Evropian ka rikonfirmuar mbështetjen për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ndërsa ka shmangur komentet për nismën e PDK-së që synon ndryshimin e ligjit që rregullon funksionimin e tyre.
Zëdhënësi i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Christian Wigand, deklaroi se Brukseli nuk komenton plane apo nisma ende në proces. Ai theksoi se mbështetja evropiane për Dhomat e Specializuara mbetet e qëndrueshme dhe do të vazhdojë.
Sipas Wigand, puna e Speciales është e rëndësishme për llogaridhënien dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet e Kosovës. Ai nënvizoi gjithashtu se personat e dënuar në shkallën e parë kanë të drejtën e apelimit.
Zëdhënësi i BE-së tha se vendimet do të shqyrtohen nga gjyqtarë të pavarur në panelin e apelit të Dhomave të Specializuara, duke theksuar se procedurat duhet të bazohen në parimin e përgjegjësisë penale individuale.
Reagimi vjen pasi PDK-ja nisi procedurat për ndryshimin e legjislacionit që rregullon funksionimin e Dhomave të Specializuara. Nisma synon ndryshime që lidhen me vijimin e procesit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Katër ish-krerët e UÇK-së janë dënuar në shkallën e parë me një total prej 81 vitesh burgim. Procesi gjyqësor nuk ka përfunduar, pasi vendimet mund të apelohen.






