Houthit e Jemenit kanë njoftuar një sulm të gjerë me raketa balistike, raketa “cruise” dhe dronë kundër kryeqytetit saudit Riad dhe objekteve energjetike në brigjet e Detit të Kuq.

Autoritetet saudite njoftuan se mbrojtja ajrore interceptoi dhe shkatërroi një raketë balistike të lëshuar drejt Riadit. Ndërkohë, një kolonë e madhe tymi të zi u pa pranë aeroportit ndërkombëtar të kryeqytetit, ku fluturimet u ndërprenë dhe u vonuan përkohësisht.

Alarmet ajrore u aktivizuan në Riad, ndërsa banorët raportuan se kishin dëgjuar disa shpërthime dhe se xhamat e banesave ishin tronditur. Mbrojtja ajrore saudite njoftoi gjithashtu se kishte penguar tentativa sulmi në Bish, Taif, Farasan dhe Yanbu.

Zëdhënësi ushtarak i Houthive, Yahya al-Sarea, deklaroi se në operacion ishte përdorur një “numër i madh” raketash dhe dronësh dhe se mes objektivave ishin zona të ndjeshme në Riad dhe impiante të kompanisë shtetërore të naftës Aramco në Yanbu.

Houthit e paraqitën sulmin si kundërpërgjigje ndaj bombardimeve saudite në Jemen. Sipas tyre, gjatë javës së fundit janë kryer rreth 300 sulme ajrore në territorin jemenas.

Përshkallëzimi vjen në një moment veçanërisht të tensionuar për rajonin. Houthit kanë shtuar sulmet ndaj Arabisë Saudite dhe pretendojnë se këtë javë rrëzuan edhe një avion luftarak saudit mbi Jemen.

Luftimet në Jemen janë intensifikuar gjithashtu. Sipas raportimeve të pakonfirmuara të cituara nga AFP, vetëm të shtunën janë vrarë 48 luftëtarë nga të dyja palët, ndërsa Organizata Ndërkombëtare për Migracionin raporton se më shumë se 104 mijë persona janë zhvendosur nga përleshjet e fundit.

Situata po ndiqet me shqetësim edhe për ndikimin që përshkallëzimi mund të ketë mbi furnizimin dhe çmimet globale të naftës, veçanërisht pas sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike saudite.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu