Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) ka reaguar ashpër ndaj publikimit të pamjeve të rënda nga aksidenti tragjik në Durrës, duke e cilësuar këtë praktikë si abuzim me dhimbjen dhe jo informim publik.

Në një deklaratë zyrtare, AMA u bën thirrje mediave dhe gazetarëve të tregojnë përgjegjësi profesionale dhe etike, duke shmangur transmetimin e imazheve që cenojnë dinjitetin e viktimave dhe familjarëve të tyre.

Sipas institucionit, publikimi i pamjeve të tilla nuk i shërben informimit të publikut, por nxit sensacionalizmin dhe garën për klikime, në kurriz të etikës dhe respektit njerëzor.

AMA thekson se në raste tragjedish, media duhet të ruajë balancën mes të drejtës për informim dhe mbrojtjes së dinjitetit të individit, duke respektuar standardet profesionale dhe ligjore në fuqi.

Reagimi vjen pas qarkullimit të gjerë në media dhe rrjete sociale të videove të kamerave të sigurisë me pamje eksplicite të shtypjes së fëmijëve, video që e disponon edhe redaksia jonë por që për arsye etike nuk u publikua edhe pa dalë ky paralajmërim.

Ndërkohë apelit i është bashkuar edhe kryeministri Rama me këtë postim:

Reagimi i plotë:

Ndërsa i gjithë vendi është në pikëllim për këtë ngjarje dhe drejtesia bën punën e saj me autorin, është detyrë e të gjithëve po veçanërisht e mediave e portaleve, të tregojnë vetëpërmbajtje, ndjeshmëri dhe përgjegjësi.

Publikimi apo shpërndarja e pamjeve të rënda nuk informon, por vetëm shton dhimbjen e atyre që po përballen me një humbje të pakthyeshme dhe e hienizon botën e informacionit.

Respekti për dinjitetin njerëzor dhe dhimbjen e të prekurve drejtëpërdrejt duhet të jetë mbi çdo sensacion apo klikim. Le të tregojmë solidaritet, humanizëm dhe njerzillëk në një ditë tragjike si kjo.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu