
Autoritetet në Livorno, Itali, kanë vendosur masa të reja për ruajtjen e pastërtisë dhe higjienës urbane, duke vendosur gjoba deri në 500 euro për pronarët e qenve që nuk pastrojnë urinën e kafshëve në hapësirat publike.
Sipas një urdhërese të bashkisë, që do të jetë në fuqi nga 20 maji deri më 31 tetor 2026, çdo person që shëtit qenin në ambiente publike apo zona private të hapura për publikun duhet të ketë me vete një shishe apo enë me ujë për të shpëlarë vendin ku kafsha urinon.
Po ashtu, ndalohet që qentë të urinojnë pranë hyrjeve të ndërtesave, dyqaneve, zyrave apo vitrinave. Shkelësit e këtyre rregullave përballen me gjoba që variojnë nga 25 deri në 500 euro.
Vendimi erdhi pas ankesave të shumta nga qytetarët për erërat e pakëndshme dhe problemet higjieno-sanitare, të shkaktuara nga shtimi i numrit të kafshëve shtëpiake në qytet.
Bashkia thekson se hapësirat publike janë pasuri e përbashkët dhe duhet të ruhen për të garantuar pastërti, higjienë dhe cilësi jetese për të gjithë qytetarët.






