
Momente tensioni dhe kaosi janë regjistruar këtë të premte në Ceuta, enklavën spanjolle në Afrikën e Veriut, gjatë një operacioni masiv për largimin e mijëra emigrantëve nga plazhet dhe transferimin e tyre në një qendër të përkohshme pritjeje në port.
Operacioni nisi në orët e para të mëngjesit në plazhet Benítez dhe El Trampolín. Më shumë se 3 mijë emigrantë u përfshinë në transferim, ndërsa forcat e sigurisë u përballën me momente të vështira kur një pjesë e turmës nisi të vraponte në përpjekje për të siguruar një vend në qendrën e re.
Situata u tensionua ndërsa qindra persona u grumbulluan pranë kordonit të policisë. Sipas raportimeve nga vendngjarja, efektivët qëlluan në ajër për të shpërndarë dhe kontrolluar turmën, ndërsa pati edhe disa të lënduar gjatë rrëmujës.
Në operacion morën pjesë rreth 170 efektivë të Policisë Kombëtare spanjolle, si edhe rreth 70 pjesëtarë të njësive të Guardia Civil. Emigrantët u ndanë në grupe më të vogla përpara se të lejoheshin të hynin në ambientet e portit.
Qendra e re e përkohshme ka kapacitet për rreth 1,700 persona dhe është pajisur me tenda, shtretër, dushe dhe ambiente sanitare. Por numri i emigrantëve që qëndrojnë ende në Ceuta është shumë më i lartë, çka do të thotë se jo të gjithë mund të strehohen në këtë strukturë.
Kriza nisi në fund të korrikut, kur më shumë se 70 mijë persona kaluan kufirin nga Maroku drejt Ceutës në një fluks të paprecedentë. Shumica janë kthyer më pas, por mijëra të tjerë kanë mbetur në territorin spanjoll, shumë prej tyre duke fjetur prej javësh në plazhe dhe në kampe të improvizuara.
Autoritetet spanjolle vendosën të hapnin strukturën e portit pasi Gjykata Kombëtare refuzoi kërkesën për pezullimin e përdorimit të saj. Qendra është parashikuar kryesisht për burra të rritur, ndërsa të miturit trajtohen veçmas.






