Sportistët e Olimpikut Special Shqiptar kanë përfaqësuar për herë të parë Shqipërinë në kampionatin ndërkombëtar të notit “Malta Open 2026”, duke u kthyer me rezultate të rëndësishme dhe disa medalje.

Në garat e zhvilluara nga 10 deri më 14 shtator në Maltë morën pjesë Gersi Troka, Iris Hoxha, Joel Gërmënji dhe Alisa Boçi, sportistë shqiptarë me sindromën Down.

Iris Hoxha regjistroi një nga rezultatet më të spikatura, duke fituar medaljen e artë në 100 metra stil i lirë. Ajo u rendit gjithashtu e shtata në 50 metra stil i lirë. Me këtë rezultat, Hoxha bëhet vajza e parë e Special Olympics Albania që fiton medalje të artë në not.

Edhe Gersi Troka u ngjit në podium, duke fituar medaljen e argjendtë në 50 metra stil delfin. Ai u rendit i shtati në 100 metra stil i lirë. Troka ka një histori të rëndësishme suksesesh ndërkombëtare, pasi në Lojërat Botërore Special Olympics Berlin 2023 kishte fituar medaljen e artë.

Medalje argjendi fitoi gjithashtu Joel Gërmënji në 50 metra stil i lirë, ndërsa në garën e 25 metrave u rendit në vendin e katërt. Malta Open ishte gara e tij e parë ndërkombëtare në not, megjithëse më herët ai kishte përfaqësuar Shqipërinë në sportet dimërore, ku kishte fituar medalje argjendi dhe bronzi.

Pjesë e delegacionit ishte edhe Alisa Boçi, e cila për arsye shëndetësore nuk mundi të garonte. Ajo ka përfaqësuar më parë Shqipërinë në not në Lojërat Botërore Special Olympics Berlin 2023.

Sportistët shqiptarë u shoqëruan nga trajneri Gentian Lama dhe drejtuesja e Olimpikut Special Shqiptar, Sara Bala Muça.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në Malta Open 2026 u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, në kuadër të projektit “Programi Kombëtar Sportiv Gjithëpërfshirës”.

Përtej medaljeve, pjesëmarrja në këtë aktivitet synon të rrisë përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara intelektuale në sport dhe t’u krijojë atyre më shumë mundësi për të konkurruar në aktivitetet ndërkombëtare.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu