
Qeveria po përgatit një platformë të re digjitale të quajtur “Pasqyra e Çmimeve”, përmes së cilës qytetarët do të mund të shohin dhe krahasojnë çmimet e produkteve në supermarketet kryesore të vendit.
Kryeministri Edi Rama, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj dhe ministri i Financave Petrit Malaj zhvilluan një takim me përfaqësues të supermarketeve dhe furnitorëve, ku u diskutua mënyra se si do të funksionojë sistemi.
Rama kërkoi nga rrjetet e shitjes që të përfshihen fillimisht në një fazë pilot dhe të transmetojnë të dhëna të detajuara për produktet: barkodin, markën, gramaturën, njësinë matëse dhe çmimin real final me TVSH. Platforma synon të tregojë edhe nëse një çmim është promocional, sa zgjat oferta dhe, potencialisht, nëse produkti ndodhet apo jo në stok.
Qëllimi, sipas Ramës, është që konsumatori të mund të shohë menjëherë se sa kushton i njëjti produkt në pika të ndryshme shitjeje dhe të zgjedhë alternativën më të leverdishme.
Kryeministri u tregua kritik ndaj marzheve të fitimit në disa produkte, duke deklaruar se qeveria nuk synon të përcaktojë çmimet dhe as t’u ndalojë bizneseve fitimin.
“Askush nuk ju kërkon të ndaloni së fituari… por që të ngarkoni njerëzit, këtë ne nuk do ta lejojmë”, deklaroi Rama, duke shtuar: “Fitoni, por lini të tjerët të marrin frymë”.
Ai argumentoi se forcimi i lekut ndaj euros dhe ulja e inflacionit të importuar duhej të reflektoheshin më shumë te çmimet, ndërsa ngriti shqetësimin veçanërisht për produktet bazë të shportës.
Sipas kryeministrit, objektivi i nismës është ulja e asaj që ai i cilësoi si “marzhe të papranueshme fitimi”, edhe pse pranoi se këto marzhe nuk janë të paligjshme.
Me “Pasqyrën e Çmimeve”, qeveria synon që konsumatori të ketë në telefon apo kompjuter një hartë të qartë të çmimeve, duke rritur konkurrencën mes supermarketeve dhe transparencën në treg.






