
Protesta e zhvilluar pas vendimit të Gjykatës Speciale për ish-krerët e UÇK-së është zhvendosur sërish gjatë mbrëmjes pranë bazës së EULEX-it, ku një pjesë e objektit është përfshirë nga flakët.
Policia e Kosovës njoftoi se rreth orës 22:30, një grup protestuesish që ndodheshin pranë ndërtesës së Qeverisë u drejtuan përsëri për në bazën e EULEX-it, pranë tregut të gjelbër në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë.
Sipas Policisë, pasi mbërritën pranë hyrjes së objektit, protestuesit bllokuan rrugën dhe nisën të hidhnin sende të ndryshme, mjete të forta dhe mjete piroteknike.
Policia thotë se pikërisht nga mjetet piroteknike një pjesë e objektit u përfshi nga një zjarr i vogël. Flakët u shuan menjëherë dhe nuk raportohet për persona të lënduar.
Gjatë gjithë kohës, efektivët u kanë kërkuar protestuesve që tubimi të vijonte në mënyrë të qetë dhe të mos hidheshin sende apo mjete të rrezikshme drejt objekteve.
Sipas njoftimit, protestat përfunduan rreth orës 00:20, pa incidente madhore dhe pa të lënduar mes protestuesve apo punonjësve të Policisë.
Policia e Kosovës njoftoi se do të vijojë praninë dhe patrullimet në terren për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.






