Në një intervistë të gjatë me gazetën gjermane WELT, me rastin e botimit në Gjermani të romanit të saj më të fundit, Mi nombre es Emilia del Valle (Emri im është Emilia del Valle), Isabel Allende flet pa tabu për seksin, feminizmin, politikën dhe letërsinë.

Romani ndjek Emilia del Valle, një grua të re që bëhet gazetare dhe udhëton drejt Kilit për të raportuar mbi luftën civile të vitit 1891

Pikërisht gjatë kërkimeve për atë libër lindi një nga historitë që Allende vazhdon ta tregojë me humor. Shkrimtarja kujton se kishte marrë me vete nënën e saj, e cila në atë periudhë ishte në depresion, në një sex shop në San Francisco.

Atje, sipas Allendes, nëna e saj provoi një karrige të pajisur me vibratorë. Përvoja, tregon shkrimtarja me humor, pati një efekt të menjëhershëm në gjendjen e saj shpirtërore.

“Seksi bën mrekulli”, është përfundimi që Allende nxjerr nga historia.

Por shkrimtarja 84-vjeçare nuk ndalet këtu. Duke folur për seksualitetin, ajo argumenton se njerëzit gjatë jetës së tyre shpesh nuk bëjnë seks mjaftueshëm ose nuk bëjnë seks mjaftueshëm të mirë, dhe sipas saj kjo vlen veçanërisht për gratë.

Allende flet gjithashtu për skenat erotike në romanet e saj, duke pranuar se imagjinata e një shkrimtareje mund të shkojë shumë më larg sesa përvojat e saj reale. Seksualiteti, për të, mbetet pjesë e natyrshme e jetës dhe nuk duhet trajtuar si një temë për të cilën duhet heshtur me kalimin e moshës.

Intervista prek edhe pornografinë dhe ndikimin që ajo mund të ketë te të rinjtë, si dhe ndryshimin e mënyrës se si shoqëria e sotme flet për marrëdhëniet dhe seksin.

Por Allende nuk flet vetëm për erotizmin. Ajo trajton edhe feminizmin, lëvizjen “woke”, zhvillimet politike në Kili dhe mënyrën se si gratë janë trajtuar historikisht në letërsi.

Shkrimtarja kundërshton veçanërisht etiketimin e veprave të autoreve si “letërsi femërore”, duke argumentuar se për dekada gratë nuk janë pranuar në të njëjtin “klub” letrar me burrat.

Pas më shumë se katër dekadash karrierë dhe dhjetëra miliona libra të shitur në mbarë botën, Isabel Allende vazhdon kështu të flasë për tema që shpesh konsiderohen tabu, këtë herë me një mesazh të thjeshtë: mosha nuk e përjashton seksualitetin dhe seksi mund të mbetet një pjesë e rëndësishme e mirëqenies njerëzore.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu