Blloku i majtë në Suedi kryeson zgjedhjet e përgjithshme të së dielës dhe mund të rikthejë Magdalena Andersson në postin e kryeministres, sipas exit poll-eve të publikuara pas mbylljes së votimit.

Parashikimet e televizioneve publike SVT dhe TV4 i japin bllokut të përbërë nga katër partitë e majta 51.3% të votave, kundrejt 46.8% për katër partitë e së djathtës.

Nëse rezultatet konfirmohen, drejtuesja e Socialdemokratëve, Magdalena Andersson, pritet të rikthehet në krye të qeverisë suedeze. Ajo e ka mbajtur postin e kryeministres nga viti 2021 deri më 2022.

Një nga zhvillimet kryesore të zgjedhjeve është rënia e mbështetjes për Demokratët e Suedisë (SD), parti e së djathtës radikale që aktualisht mbështet qeverinë konservatore të kryeministrit Ulf Kristersson. Sipas exit poll-eve, partia mund të pësojë rënien e parë elektorale që prej hyrjes në parlament në vitin 2010.

Kristersson kishte premtuar se, nëse do të qëndronte në pushtet, përfaqësues të Demokratëve të Suedisë do të merrnin poste në kabinet. Partia, e themeluar në vitet 1980 nga një lëvizje ku bënin pjesë edhe simpatizantë nazistë, ishte izoluar për vite nga partitë tradicionale, por në zgjedhjet e vitit 2022 u bë forca e dytë politike e vendit.

Andersson e paraqiti votimin si një zgjedhje mes një qeverie të dominuar nga Demokratët e Suedisë dhe një ekzekutivi të drejtuar prej saj me një frymë të re bashkëpunimi.

Siguria kombëtare, kriminaliteti i bandave dhe shpenzimet për mirëqenien sociale ishin ndër çështjet kryesore që dominuan fushatën.

Rezultatet e exit poll-eve nuk janë përfundimtare dhe tashmë pritet numërimi i votave për të përcaktuar se cili prej dy blloqeve do të ketë shumicën për formimin e qeverisë së ardhshme.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu