
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për përplasjen mbi pagat e gjyqtarëve, duke deklaruar se vendimi i Gjykatës Administrative nuk synon vetëm rritjen e menjëhershme të pagave me 51%, por edhe pagesën e diferencave të prapambetura që prej prillit të vitit 2023.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama e cilëson vendimmarrjen e Gjykatës Administrative si “ekstra-parlamentare” dhe pretendon se zbatimi i saj do të krijonte një faturë prej rreth 130.5 milionë eurosh për detyrimet e prapambetura.
“Ndjesë për informimin e pjesshëm mbi kuturisjen e djeshme të Gjykatës Administrative”, shkruan Rama, duke argumentuar se përmes sigurimit të padisë kërkohet jo vetëm rritja me 51% e pagave, por edhe pagesa retroaktive që nga prilli 2023.
Kryeministri publikoi gjithashtu një tabelë ku, sipas tij, tregohet shuma që do të përfitonte individualisht çdo gjyqtar nga pagesat e prapambetura.
Rama këmbëngul se ministri i Financave nuk mund ta zbatojë një vendimmarrje të tillë pa kaluar përmes procedurave ligjore dhe parlamentare, duke deklaruar se në të kundërt ministri do të “shkelte ligjin” dhe do të shkonte pas, siç e quan ai, “berihajit të kësaj vendimmarrjeje ekstra-parlamentare”.






