
Procesi për rishikimin e hartës administrativo-territoriale të Shqipërisë pritet të diskutohet këtë të martë në një dëgjesë mes përfaqësuesve të Shoqatës së Bashkive dhe të Zgjedhurve Vendorë dhe Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës.
Takimi zhvillohet pas kërkesës urgjente që Shoqata i dërgoi më 17 gusht 2026 presidentes së Kongresit, Claudia Luciani, për të paraqitur shqetësimet mbi mënyrën se si po zhvillohet reforma.
Propozimi i mazhorancës socialiste parashikon shkrirjen e 15 bashkive. Ndryshimet janë kundërshtuar nga banorët e disa njësive vendore, të cilët prej javësh kanë organizuar protesta kundër bashkimit me bashki të tjera.
Sipas njoftimit të Partisë Demokratike, dëgjesa synon të angazhojë strukturat e Këshillit të Evropës për vlerësimin e procesit në raport me parimet e Kartës Evropiane të Autonomisë Vendore.
Shoqata kërkon gjithashtu frenimin e një procesi që e cilëson të njëanshëm dhe të zhvilluar pa përfshirjen e mjaftueshme të autoriteteve vendore dhe komuniteteve.
Në kërkesën e saj, Shoqata sqaron se nuk mbështet një hartë apo forcë të caktuar politike, por kërkon që çdo ndryshim territorial të realizohet në mënyrë transparente, mbi bazën e të dhënave dhe në përputhje me standardet evropiane të demokracisë vendore.
Sipas Shoqatës, disa faza të parashikuara në kalendarin e Komisionit të Posaçëm Parlamentar nuk janë zhvilluar. Mes tyre përmenden raundi i dytë i konsultimeve, sondazhi publik dhe prezantimi i varianteve të mundshme të hartës së re.
Një tjetër shqetësim lidhet me moszhvillimin e dëgjesës së parashikuar për Bashkinë e Tiranës. Shoqata pretendon se mënyra e ndjekur deri tani ka krijuar rrezikun e ndryshimit arbitrar të kufijve territorialë.
Kongresit të Këshillit të Evropës i kërkohet të shqyrtojë dokumentacionin e procesit, konsultimet e zhvilluara në qarqe, qëndrimet e bashkive dhe këshillave bashkiakë, reagimet e komuniteteve dhe alternativat e paraqitura.
Sipas qëndrimit të Shoqatës, procedura dhe përmbajtja e propozuar e kanë cenuar legjitimitetin e reformës dhe ngrenë pikëpyetje për kushtetutshmërinë e saj.
Shoqata nuk i kërkon Këshillit të Evropës të përcaktojë hartën e ardhshme territoriale të Shqipërisë, por të vlerësojë nëse procesi respekton autonominë vendore dhe standardet evropiane. Kërkesa kryesore është që çdo ndryshim të mbështetet në konsultim real, transparencë, evidencë dhe konsensus.
Kongresi ka konfirmuar marrjen e kërkesës dhe dokumentacionit, si dhe gatishmërinë për zhvillimin e një videothirrjeje me përfaqësuesit shqiptarë.
Në takim, Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale pritet të përfaqësohet nga Claudia Luciani dhe Carolin Dubois-Leinihan, së bashku me ekipet e tyre.
Nga pala shqiptare do të marrin pjesë presidenti i Shoqatës dhe kryetari i Bashkisë Kavajë, Fisnik Qosja; zëvendëspresidenti dhe kryetari i Bashkisë Memaliaj, Albert Malaj; kryetari i Bashkisë Fushë-Arrëz, Hilë Curri; drejtori ekzekutiv Arlind Hoxha; koordinatori Skeldi Sedi, si dhe ekspertët Ylli Asllani dhe Agron Haxhimali.
Dëgjesa pritet të përqendrohet te përfshirja e komuniteteve dhe pushtetit vendor, respektimi i autonomisë lokale dhe kundërshtimet ndaj mënyrës së zhvillimit të reformës.






