
Policia ka vënë në pranga 45-vjeçarin F. D., autorin e dyshuar të vrasjes së nënës dhe plagosjes së rëndë të babait të tij në fshatin Zhymë të Lushnjës.
Sipas njoftimit zyrtar, ai u kap rreth një orë pas ngjarjes, pranë Spitalit Memorial në Fier. Në momentin e ndalimit, 45-vjeçari po drejtonte automjetin e vëllait dhe po tentonte të dilte nga qarku Fier.
Menjëherë pas ngjarjes, forca të shumta policore rrethuan zonën, ngritën pika kontrolli dhe u vunë në ndjekje të autorit të dyshuar, i cili, sipas Policisë, paraqiste rrezikshmëri edhe për banorët e tjerë.
Si rezultat i angazhimit të shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier dhe Komisariatit të Policisë Lushnjë, u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i tij.
F. D. është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, së bashku me automjetin që drejtonte. Atje po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale.
Ngjarja ndodhi rreth orës 21:20 në banesën e familjes në fshatin Zhymë. Për motive ende të paqarta, 45-vjeçari dyshohet se goditi me sqepar nënën e tij 80-vjeçare, e cila humbi jetën nga plagët, si dhe plagosi rëndë babanë 77-vjeçar.
I plagosuri ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Policia bëri të ditur se 45-vjeçari dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe sqarimin e rrethanave të saj.





